3 ditë në Puglia: Alberobello + Polignano a Mare + Matera.


Alberobello: 26 korrik 2022

Të jetosh kaq pranë Italisë e të mos vizitosh Puglian piktoreske, për të cilën, udhëtarë nga kontinentet e largëta ëndërrojnë e planifikojnë një jetë për të ardhur, nuk falet – ishte justifikimi që i dhamë vetes për ti lejuar tre ditë shkëputje nga puna në kulmin e sezonit veror.

Sfida e vetme ishte të krijojmë një itinerar interesant por sa më të plotë brenda një kohe të shkurtër dhe një buxheti të volitshëm. Këto pika janë kritere për çdo udhëtim që ndërmarrim pasi detyra jonë është të vlerësojmë edhe në këndvështrimin e klientëve gjithashtu.

Linjat ajrore lowcost na mundësojnë fatmirësisht fluturime të lira por vera sidoqoftë ndikon në çmim duke qenë se kërkesa është më e lartë, ndaj rezervimet e hershme janë gjithmonë një vendim i zgjuar. Fluturimi Tirana – Bari është aq i shkurtër sa që nga momenti i nisjes e deri në lajmërimin e pilotit për tu përgatitur për zbritjen në Bari, zgjati jo më shumë se 40 min.

Ndalesa e parë do të ishte Alberobello meqënëse si vend i vogël, do të mjaftonin ato pak orë që mbetën nga dita e udhëtimit e përveç kësaj do të mund ta shijonim në mbrëmje vonë kur rrugicat me kalldrëm e shtëpizat e vogla si nga përrallat me pufa do të ndriçoheshin nga dritat.

Udhëtimi nga Aeroporti në Alberobello me taksi kushton diku te 90-100 euro dhe udhëtimi zgjat 1 orë. Nëse udhëtoni me fëmijë të vegjël apo parapëlqeni rehatinë rekomandojmë taksinë ose makinë me qira. Në të kundërt me kosto shumë më të ulët mund të zgjidhni trenin të cilin e merrni nga aeroporti drejt Stacionit Qendror te Barit për 20 minuta dhe prej aty arrini për rreth 1 orë në Alberobello me linjën e autobusëve të cilët kanë oraret e afishuara në stacion. Bileta e trenit ështe 5 euro, e autobusit 4 euro dhe për të dyja rastet ato mund të blihen online ose në stacion.

A L B E R O B E L L O

Në gjuhën italiane, Alberobello do të thotë pemë e bukur. Prandaj, njerëzit mendojnë se emri i referohet pemëve të bukura që ka patur rajoni. Në fakt ka ekzistuar një pyll masiv – siç thuhet – aty ku ndodhet sot qyteti Alberobello, por ka një teori tjetër mbi zanafillën e emrit.

Në këtë pyll është rritur një pemë e quajtur Arbor Belli – Pema e Luftës në italisht. Kjo për shkak se druri i tij përdorej zakonisht për të bërë armë, e prej këtu mendohet të ketë origjinën emri i qytetit. Por le të pretendojmë se nuk dimë asgjë nga këto dhe ti qëndrojmë kuptimit “pema e bukur”. Tingëllon shumë më mirë se “pema e luftës”.

Gra të zonës – 1947. A.EISENSTAEDT

Qyteti u bë i njohur për ndërtesat unike me gur të bardhë të quajtura trulli të cilat janë shtëpi të vogla me strehë konike, shumica me simbole specifike të lyera me gëlqere. Besohet se më herët, kur numrat e shtëpive nuk ishin ende praktikë, këto shenja u përdorën në vend të adresës postare.

Por, si u krijuan këto ndërtesa unike në Pulia? Në vitet 1500, familja Acquaviva, sundimtarët lokalë brenda sistemit feudal, donin të shmangnin pagesën e taksave mbi pronën ndaj mbretit. Ata urdhëruan fshatarët vendas të ndërtonin shtëpitë dhe banesat e tyre pa llaç, në mënyrë që, në rast të një inspektimi mbretëror, strukturat të mund të rrëzoheshin shpejt dhe lehtë dhe fatura e taksave të mbetej e ulët. Duke përdorur gurë gëlqerorë lokalë dhe disa teknika të zgjuara ndërtimi, popullsia vendase krijoi trullin, shumë prej të cilave mbeten në këmbë edhe sot (një arritje e dyfishtë duke pasur parasysh qëllimin e tyre ishte që të çmontoheshin lehtë!).

Nuk ju duhet ndonjë guidë e veçantë për tu orientuar në qytet, por vetëm dëshira dhe një palë sandale, shapka, këpucë të rehatshme për tu endur e zbuluar bukuritë që ju shfaqen në çdo kënd.

Pas mbërritjes në Alberobello dhe procedurave të hyrjes në akomodim, i cili nuk mund të ishte tjetër veç nje trulli, u gëzuam që ndodheshim vetëm dy hapa larg Katedrales imponuese e hijerëndë “Santi Medici Cosma e Damiano”. Një stil arkitekturor ndryshe nga ai tipik i zonës por megjithatë në harmoni të plotë me të dhe që ngjall interes për tu vizituar nga brenda.

Sapo mbërrin në qendër të qytetit, është menjëherë e qartë se ku të drejtoheni – lagjja Rione Monti brenda ‘zonës së trullit’. Në një kodër të ulët, lagjja përmban mbi 1000 trulli dhe pothuajse asnjë lloj tjetër stili ndërtimi. Është turistike, me dyqane dhuratash dhe nje atmosferë miqësore që krijohet dhe nga vizitorët e gëzuar që vërtiten sa nga një trulli në tjetrën me entuziazmin e një fëmije.

Nëse, si ne, jeni të shkurtër, atëherë duke ecur mes trulleve, do të ndiheni si gjigant! Nga trulli më i vogël e deri te ai dykatësh, Trulli Sovran i cili mbrohet nga UNESCO, do të rrëfejnë çdo gjë rreth arkitekturës trullo dhe se si njerëzit kanë jetuar në to qindra vjet më parë.

Plani më i mirë është të mos keni asnjë plan dhe thjesht ti lejoni vetes të surprizoheni, duke gjetur rrugica të qeta ku mund të shkrepni foto apo provoni akullore tipike të zonës. Do ju duhet të prisni pak në radhë por edhe kjo ka bukurinë e vet kur mendon që kushedi ç’shije do të ketë ajo që porositët.

Pi macja uthull? – i thamë njëra-tjetrës duke qeshur pas krikos së vogël, të cilën e porositëm në një trulli, ku na tërhoqi fillimisht, logoja dhe dizajni grafik i një posteri, që të fton për të provuar birrë artizanale e cila na trullosi disi por edhe na kujtoi që ishim ende pa ngrënë.

Në sheshin qendror, mes dy zonave ka restorante me tavolina jashtë dhe natyrisht, që në një mbrëmje vere si kjo, nuk do të kalonim aty pranë, pa provuar gatimet tradicionale të cilat lavdërohen nga të gjithë. Nuk mund të themi se “orecchiette con cime di rapa” na pëlqyen veçanerisht aq sa për ti sugjeruar por sidoqofte shijet janë gjithmonë vetjake edhe kështu le të mbeten. Shijuam megjithatë antipastat me djath të fresket “burrata” dhe me “prosciutto crudo”.

E mbyllëm mbrëmjen duke ecur drejt hotelit dhe u ndodhëm sërish pranë katedrales në shkallët e së cilës u ulëm për pak, aq sa për të vendosur mbi ditën e nesërme, duke pohuar gjithë gëzim që kjo ditë kishte qenë perfekte.

Polignano A Mare na prit!.


Leave a Reply

Discover more from

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading